nato per emigrantetEmigrantët. Rruga ballkanike drejt hapjes. Në Leçe zbarkojnë refugjatët e parë të nisur nga Ballkani. Hetime intensive për të zbuluar nëse u nisën nga brigjet greke apo ato shqiptare


Zotimi “antiskaf” – Një “blindim” i bazave detare të Durrësit dhe të Vlorës, ku Italia ka ushtarë në kuadër të NATO-s, u lançua me forcë prej të dyja palëve, për të dhënë sinjalin se motovedetat do t’i ndiqnin këmba-këmbës skafistët


Mariglen Mullai


Një skafist shqiptar u kap në flagrancë, pasi në gomonen që ai drejtonte bashkë me një “koleg” grek, ndodheshin 21 emigrantë që kanë kaluar Otranton, të nisur nga Greqia. Ende nuk dihet se nga cilat brigje u nis skafi, pra nga ato greke, apo klandestinët kaluan kufirin e gjelbër me Shqipërinë dhe u nisën nga brigjet tona. Në kulmin e mbajtjes pezull të vendimit nga pala shqiptare për emigrantët, vjen edhe sinjali i parë i kalimit të kanalit të Otrantos, pra tanimë skafet nisën të transportojnë refugjatë nga kampet greke drejt brigjeve italiane.


Skafisti shqiptar


Një qytetar italian nga Leçe telefonoi policinë se kishte parë një varkë që ishte afër brigjeve. Ky skaf 10 metra i gjatë, kishte kaluar Kanalin e Otrantos dhe ka bërë ndalesë në Castro. Aty janë zbarkuar “21 pasagjerët” dhe pastaj me shpejtësi skafistët e nxorën mjetin e tyre lundrues drejt detit. Policia ka nisur kërkime në Tricase, ku në terren janë lëshuar anije patrulluese të rojeve të “Guardia di Financa” dhe menjëherë kanë filluar “gjuetinë” në det. Në pak kohë, në orën 08.00 të mëngjesit të djeshëm, një skaf është zbuluar dhe bllokuar pak milje në jug, në brigjet e Marina Serra, një fshat në Tricase të Leçes. Në bord ishin një shtetas grek dhe një shqiptar, të cilët u kapën për t’iu nënshtruar marrjes në pyetje. Emigrantët që u kapën në mëngjes herët ishin 21 persona (16 meshkuj dhe 5 femra, duke përfshirë një të mitur). Ata kanë kombësi somaleze, iraniane dhe siriane dhe janë dërguar drejt një kampi. Rojet bregdetare do të fillojnë hetimet, ku një vëmendje e veçantë i është kushtuar pikërisht zbulimit të pikës nisëse të refugjatëve. Ka shumë rëndësi për italianët që të gjejnë vendin se nga janë nisur, pra nëse janë përdorur brigjet greke, apo refugjatët kanë kaluar fillimisht në Shqipëri, përmes kufirin të gjelbër dhe më tej kanë përdorur brigjet shqiptare.


Masat kundër skafistëve


Duket se kjo situatë ka alarmuar së tepërmi palën italiane, e cila deri në fund shpresoi për mbylljen e rrugës ballkanike, pasi u druhej skafeve të nisura nga Shqipëria. Për një “qepje” të kufijve u përpoqën bashkë ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, dhe ai shqiptar Saimir Tahiri. Ky i fundit madje premtoi se asnjë skafist nuk do të mundte të nisej nga brigjet tona dhe se njësitë e policisë kufitare do të eliminonin çdo tentativë të trafikantëve për të dërguar emigrantë drejt Italisë. Aq me merak e kishte këtë çështje ministri Alfano, saqë prej disa javësh deklaron se do të vijë nga dita në ditë në kryeqytetin shqiptar që të nënshkruante disa marrëveshje me homologun shqiptar. Më parë ai pat ardhur në Tiranë, ku lëshoi mesazhet për luftën ndaj terrorizmit, por pak javë më parë priti Tahirin në Romë, për t’u fokusuar rreth problemit emergjent të refugjatëve. Madje, për t’u siguruar që nga deti Adriatik që e lidh shtetin e tij me Shqipërinë, nuk do të kalonte asnjë mjet lundrues, ministri italian solli pak ditë më parë në Tiranë disa krerë policie dhe kryesisht ata që merren me kufijtë. Një “blindim” i bazave detare të Durrësit dhe të Vlorës, ku Italia ka ushtarë në kuadër të NATO-s, u lançua me forcë prej të dyja palëve, për të dhënë sinjalin se motovedetat do t’i ndiqnin këmba-këmbës skafistët. Sakaq, për t’u siguruar se refugjatët nuk do të mund të arrinin as deri në brigjet shqiptare, italianët menduan të shtonin kontrollet në kufijtë me Greqinë, duke thënë se do të sjellin edhe 20 policë kufitarë. Faktikisht ata nuk erdhën, teksa Tahiri shtoi se nuk ishte e thënë që të mbërrinin këtu, por do të mjaftonte eksperienca që ata do të sillnin. U fol edhe për një marrëveshje “online” mes policive të dy shteteve. OSBE dha kontributin e saj, duke trajnuar me dhjetëra policë shqiptarë në Korçë, sesi ata do të ndalonin flukset e emigrantëve. Gjithsesi, Shqipëria ka lëshuar zëra kontradiktorë, ku një ministre tha se do t’i hapim kufijtë, ndërsa shefi i saj tha se kjo nuk do të realizohej. Për të mos u gjendur të papërgatitur, pala shqiptare ka rikonstruktuar disa ngrehina ushtarake në zonat kufitare, teksa shefa policie apo përfaqësues të shtetit, kanë folur për kapacitete të limituara për mbajtjen e refugjatëve, duke dhënë shifra që nisnin nga 2 mijë deri në 50 mijë kuota.