Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, mbajti fjalën e tij sot në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, duke adresuar çështje të rëndësishme për institucionin dhe duke shprehur angazhimin për transparencë dhe zhvillim akademik.

Ai theksoi se ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet dhe ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara. “Nuk kam asgjë për të fshehur,” u shpreh Sallaku, duke siguruar se është i hapur për të ofruar çdo informacion të nevojshëm.

Duke folur për të ardhmen e universitetit, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare, si Universiteti BOKU i Vjenës. “Askush nuk e besonte që do të vinte dita që do të uleshim në një tryezë me këtë universitet,” tha ai, duke shtuar se tashmë është krijuar një bashkëpunim konkret.

Sallaku kërkoi që debati publik të fokusohet te zhvillimi i institucionit dhe jo te çështje dytësore. “Ky universitet i duhet Shqipërisë,” theksoi ai, duke garantuar se në shtator do të ofrohet një program i ri akademik.

Në fund të fjalës së tij, rektori shprehu besimin se drejtësia do të bëjë punën e saj dhe se procesi aktual do të përmbyllet në të mirën e përbashkët. “Shpresoj që çdo njeri të pastrojë imazhin dhe të mos dalë asgjë nga konteksti,” përfundoi ai.

Sallaku: Unë kam qenë  subjekt i marrjes së telefonit unë kam qenë i gatshëm e kam dhënë s’kam asgjë për të fshehur kemi dhënë të gjitha dokumentacionet e kërkuara, unë dua edhe një herë të siguroj sepse ky është qëllimi kryesor ju garantoj që unë nuk jam këtu për politikë dhe me kryeministrin kemi folur disa herë, kemi shkëmbyer jo debate por koncepte, asnjëri nuk e  besonte që do të vinte një ditë që do ulej në tavolinë me universitetin Boku të Vienës, kemi filluar këtë lloj bashkëpunimi jemi të gatshëm por do të doja shumë që i gjithë fokusi të mos merrej me anësoret por thelbin  ky universitet i duhet Shqipërisë, prindërit duhet të qetësohen, në shtator do të shkojmë me një ofertë të re akademike. Stafi është i përkushtuar shpresoj që personat të gjejnë të gjitha energjitë, është shqetësim i madh por shpresoj që çdo njeri të pastrojë imazhin jam shumë besimplotë, për këtë drejtësia të bëjë punën e vet, i gatshëm për të siguruar çdolloj informacioni. Shpresoj që ky proces të mbarojë në të mirën tonë të përbashkët, të mos dalë asgjë nga konteksti.