Kreu i qeverisë Edi Rama ka treguar se nëse Shqipëria do të futet në BE, ai largohet nga qeverisja.

Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin ‘Flasim’ të Kryeministrit, Rama u shpreh se nuk synon “të bëhet mbret, apo të qeverisë në përjetësi”, por se vijon të jetë në këtë detyrë sepse sipas tij e sheh të hapur derën e BE-së për Shqipërinë.

“Nuk jam këtu për t’u bërë mbret apo për të qeverisur në përjetësi, por jam këtu se shoh derën e hapur të BE-së, kur ta kapërcej pragun e asaj dere ju shpëtoni nga unë”, tha Rama.

I pyetur për pasardhësin ose pasardhësen politike, nëse do jetë mes njerëzve që e sfidojnë apo jo, Rama tha: Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë, pra nuk është dikush që ti e zgjedh.

Duke sjellë edhe një bisedë që ka bërë në 2014 kur takoi për herë të parë Angela Merkelin, Rama tha se ende nuk është hapur ‘gara’ për pasuesin e tij në PS.

Rama shtoi se plani i tij është të largohet nga drejtimi i PS, por jo nga PS.

“Kur vjen momenti i kalimit të stafetës, stafeta kalohet ose duke ikur dhe duke e lënë gjënë në rrjedhje siç unë kam ndërmend ta bëj… Unë nuk do ta lë PS-në, do jem anëtar i organizatës së Surrelit”, u shpreh ai.

“Por ndërkohë po sjell një shembull nga jeta ime politike, kur kam takuar për herë të parë Merkelin, dhe ka qenë takimi i vetëm kur nuk kam fjetur para ditës që ta takoja, se nuk e njihja atë person.

Isha kryeministër, 2014, dhe kisha pasiguri se ajo në TV të krijon idenë e një drejtoreshe shkolle për nxënës me 10… Dhe ndër të tjera më thotë ‘çfarë ndodh me opozitën tënde atje. I thashë është një i ri atje. Çfarë bëhet me atë tjetrin tha, ka ikur? I thashë nuk është më në krye por aty është. Problem tha. Pse i thashë. Tha unë jam shumë mirënjohëse gjithmonë Helmut Holh sepse ai më prodhoi, por në momentin kur u bëra kryetare e partisë ai vazhdoi të rrinte aty dhe vinin njerëzit te unë e pastaj te ai. Dhe një ditë i thashë kjo nuk shkon, tani jam unë, më tha po unë jam këtu për të të ndihmuar. I thashë nuk kam nevojë për ndihmë. Herën tjetër i thashë do më detyrosh… qeshi, tha ‘do ta provosh’, e pastaj gjërat shkuan kështu. Unë tha mendoj se kur vjen dita për të ikur ikën, sepse çdo parti demokratike ku tjetri që vjen konceptohet si pasardhës e ka shumë të vështirë në mos të pamundur që të funksionojë’.

Unë nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës, kështu që pasardhësi ose pasardhësja të dalë dhe të marrë përsipër PS-në. Çështja është që unë ua kam thënë kur ka rënë biseda që mos mendoni se kujt i vjen radha se nuk është hapur gara, bëjini hysmetin karrierës dhe figurës suaj duke bërë detyrën, kur vjen momenti i kalimit të stafetës, stafeta kalohet ose duke ikur dhe duke e lënë gjënë në rrjedhje siç unë kam ndërmend ta bëj… Unë nuk do ta lë PS-në, do jem anëtar i organizatës së Surrelit, por nuk do largohem nga partia dhe nuk kam ndërmend që t’i ngatërrohem nëpër këmbë kujt do jetë pasues”, tha Rama.

Ndërkohë sa i përket projektit të Zvërnecit, i cili është bërë nga vajza dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, ai tha se nuk ka pasur asnjëherë komunikim për këtë çështje me Donald Trump.

Rama theksoi se nuk do të tërhiqet nga ky investim, por vetëm nëse ligji dhe shkenca, siç thotë ai, do t’ia ndalojnë, atëherë projekti nuk do të realizohet.

“S’kam folur kurrë me Trump për këtë projekt… Nëse do më ndalojë ligji dhe shkenca nuk do bëhet projekti në Zvërnec”, tha Rama.

Top Channel