Një ish-oficere burgu në Britaninë e Madhe është dënuar me burg pasi u zbulua se kishte krijuar një marrëdhënie intime me një të burgosur, e cila u dokumentua nga kamera e saj personale e trupit.
Rebecca Pinckard, 46 vjeçe, u dënua me 32 javë burg pasi pamjet e regjistruara më 5 korrik 2024 treguan se ajo kishte kryer një akt intim me Erion Nakdin, 42 vjeç, në ambientet e burgut HMP Highpoint pranë Haverhill, në Suffolk. Pamjet u konstatuan nga një oficer tjetër gjatë verifikimit rutinë të materialeve filmike për prova.
Sipas gjykatës, ngjarja nuk ishte e izoluar. Prokurori Gavin Burrell tha se akti ishte filmuar në dy klipe, pesë minuta larg njëri-tjetrit, nga kamera e vendosur në trupin e Pinckard. Gjykatësi Anthony Cartin theksoi se shkelja u zbulua vetëm për shkak të një “gabimi të ngathët”, pasi kamera kishte mbetur e aktivizuar.
Gjykata dëgjoi gjithashtu se Pinckard, nënë nga Six Mile Bottom në Cambridgeshire, i kishte dërguar më parë një kartolinë “dashamirëse” të burgosurit, shtetas shqiptar, i cili po vuan një dënim të gjatë për vepra penale të lidhura me drogën. Ajo e kishte pranuar fajësinë për sjellje të pahijshme në ushtrimin e një detyre publike në një seancë të mëparshme.
Gjykatësi deklaroi se veprimet e saj dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale. U bë e ditur gjithashtu se në telefonin e Pinckard ishin gjetur video të regjistruara brenda burgut, të cilat më pas ishin shpërndarë përmes rrjeteve sociale.
Erion Nakdi, i cili u paraqit në gjykatë përmes një lidhjeje video nga burgu, pranoi posedimin e paautorizuar të një telefoni celular në ambientet e burgut gjatë periudhës 2–6 korrik 2024. Ai u dënua me 10 muaj burg shtesë, që do t’i shtohen dënimit ekzistues prej 16 vitesh e tre muajsh për një komplot për furnizim me drogë të klasit A, dhënë në vitin 2022 nga Gjykata e Kurorës së Lutonit.
Gjykata bëri të ditur se Pinckard kishte marrë edhe një paralajmërim disiplinor në tetor 2023, pasi ishte konstatuar se kishte tejkaluar kufijtë profesionalë me të burgosurit.
