Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka siguruar disa herë gjatë muajit të fundit se vota e diasporës është e sigurt dhe se zarfet nuk do mund të bien në dorë të askujt tjetër, përveç personave të autorizuar për menaxhimin e tyre.

Megjithatë gjërat duket se nuk kanë shkuar aspak kështu. Një mbështetës i Partisë Demokratike ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, ku shfaqen disa zarfe të ngjashëm me ato të votave të emigrantëve.

Simpatizanti i PD, i identifikuar si Klodian Cami, e shoqëron videon me mbishkrimin: “Zarfet e verdhë të DIASPORËS që do të sjellin ditën e ZEZË TË Rilindjes. Zarfe që peshojnë aq fort sa dosjet e SPAK.”

Mbetet e paqartë se si Cami ka rënë në zotërim të zarfeve, teksa aktivisti i PD-së më herët është prezantuar publikisht nga vetë Sali Berisha në llogarinë e tij në Facebook, kur mbante fjalime në rrugën e “Shpresës”, gjatë kohës që kreu i PD ishte në arrest shtëpie për aferën Partizani.