Një investigim i Fiks Fare ka dokumentuar një rast ku një mjeke gjinekologe rekomandon përdorimin e medikamenteve për ndërprerjen e një shtatzënie 13-javëshe, ndonëse ndërprerja e shtatzënisë mbi javën e 12-të nuk lejohet për abort me kërkesë të gruas.
Bashkëpunëtorët e emisionit u interesuan fillimisht pranë Poliklinikës Nr. 7 në Laprakë, ku kërkuan informacion mbi mundësinë e kryerjes së një aborti. Gjatë komunikimeve të tyre, ata u orientuan drejt një klinike private që drejtohet nga një mjeke gjinekologe e dalë në pension prej rreth një viti.

Në një bisedë telefonike, mjekja u shpreh se legjislacioni lejon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 12-të. Më pas, bashkëpunëtorët u drejtuan edhe tek një tjetër gjinekolog, i cili konfirmoi se procedura mund të kryhej vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga ligji. Sipas tij, tejkalimi i afatit ligjor e bënte të pamundur kryerjen e ndërhyrjes në kushtet normale të parashikuara për abortin me kërkesë të gruas.

Megjithatë, situata mori një tjetër rrjedhë kur bashkëpunëtorët e Fiksit u paraqitën në klinikën private dhe deklaruan se shtatzënia kishte arritur në javën e 13-të. Sipas pamjeve të siguruara nga Fiksi, mjekja nuk e konsideroi këtë fakt si pengesë dhe u sugjeroi përdorimin e medikamentit Cytotec për të shkaktuar abortin.

Gjatë takimit, ajo shpjegoi edhe mënyrën e përdorimit të medikamentit, duke dhënë udhëzime për marrjen e tij. Më pas, emrin e medikamentit e shënoi në një recetë, por refuzoi të vendoste firmën dhe vulën e saj profesionale në dokument. Sipas investigimit, mjekja u kërkoi bashkëpunëtorëve që ta siguronin vetë medikamentin dhe ta përdornin sipas skemës së sugjeruar.

Refuzimi për të firmosur dhe vulosur recetën, ndërsa njëkohësisht jepen udhëzime për përdorimin e medikamentit, ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë profesionale dhe respektimin e procedurave që duhet të ndiqen në raste të tilla. Ligji ndalon ndërprerjen e shtatzënisë me dëshirën e gruas mbi javën e 12-të.



Top Channel
