Një hetim i Prokurorisë së Dibrës për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve të pronësisë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ka çuar në caktimin e 14 masave të sigurisë.
Në mesin e personave të përfshirë në këtë procedim është edhe Daniel Gjurraj, ish-kandidat i Partisë Socialiste në qarkun Dibër dhe ish-drejtor i Transporteve, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas burimeve hetimore, çështja lidhet me dyshime për ndërhyrje dhe parregullsi në dokumentacionin e pronave, si dhe në administrimin e tyre në nivel lokal.
Autoritetet po punojnë për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.
