Një infermier dhe një mjek janë pezulluar nga detyra me urdhër të Gjykatës së Gjirokastrës, pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.

Dyshohet se mjeku dhe infermieri kanë regjistruar në mënyrë fiktive në librin e shërbimit, një shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj ekzekutuan masën “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

R. S., 39 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë infermier dhe Sh. M., 62 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë mjek, në një qendër shëndetësore, pasi nga hetimet dyshohet se më datë 13.09.2025, kanë regjistruar në mënyrë fiktive në librin e shërbimit, shtetasin E. K. (i arrestuar më datë 13.09.2025, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”).”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.