Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një mashtrim që bëjnë firmat që tregtojnë ujë në Tiranë.

Njëra prej tyre, ka vendosur disa pika statike në kryeqytet dhe shkruan në tabela se “ujë nga burimi Krullia”, burim i cili ndodhet në fshatin Shëngjin, në Njësinë Administrative Shëngjergj në Tiranë.

Por, kamera e Fiks Fare shkoi në atë burim dhe konstatoi se firma në fjalë nuk ka marrë asnjë litër ujë nga ai vend. Banorët e zonës thanë se, pas 3 vitesh reklamim, kompania po tenton t’ua marrë ujin banorëve, burimin e të cilit e përdorin për vaditje dhe ujë të pijshëm.

Në pamundësi për të marrë ujë në atë burim, autobotet e firmës mbushen në një ndërtesë 7-8 metra katrorë, pa asnjë kusht higjieno-sanitar, që s’ka lidhje me burimin “Krullia”. Atë vend e quajnë “fabikë”, e cila ka veçse një tubo dhe një saraçineskë.

Banorët: Po punojnë me helikopter, ku i morën lejet?!

Grupi i Fiks Fare udhëtoi në fshatin Shëngjin, në Njësinë Administrative Shëngjergj në Tiranë, me kërkesë të dhjetëra banorëve të zonës. Ata ankohen se një individ ka shkuar dhe ka bërë punime pa asnjë leje në burimin e ujit që ata përdorin për ujë të pijshëm dhe për vaditje.

“Firma quhet ‘Krullia’ me pronar Blerim Ndoun”, pohon njëri prej tyre. Banorë të tjerë ankohen se ky individ ka shkuar me forcë në atë vend dhe është konfliktuar me banorët. Madje, ai ka marrë edhe një helikopter për të dërguar materiale ndërtimi në burim.

“S’na kanë pyetur nëse ekzistojmë ose jo. Ky ka 2 a 3 vjet që thotë se shet e tregton ujë ‘Krullia’, por nga burimi s’ka marrë asnjë litër. Tani vjen dhe na e rrethon të gjitha, s’do na lërë asnjë pikë. Ça uji ka shitur ky?”, pyesin banorët.

Grupi i Fiks Fare dhe dhjetëra banorë shkojnë te burimi, është një terren shumë i vështirë për t’u ngjitur. Banorët pohojnë se për disa ditë me radhë janë konfliktuar pasi punonjësit e firmës kalonin te prona e tyre. Tani firma përdor helikopter për të dërguar materialet.

“Ne s’na kanë pyetur asnjëherë për ujin. Asnjë s’ka ardhur te ne. Ne këtë burim e përdorim për gjithçka. Mos të kemi dhe këtë do ikim të gjithë”, pohojnë ata, teksa hedhin dyshime se mund të kenë firmosur te Njësia Administrative.

Disa herë ata tregojnë se firma ka mashtruar me tregtimin e ujit, ku në Tiranë e reklamojnë që është uji nga “burimi Krullia”, por te burimi s’kanë marrë. “Ja shikoje, erdhën dhe bënë punime me gurë dhe llaç. E kanë rrethuar dhe kanë vendosur një tubo. Por tubo nuk shkon te vendi që ata marrin ujin poshtë, por është false. Akoma s’kanë marrë ujë nga Krullia dhe thonë që është uji Krullia. Ku është shteti, pse s’i heton këto firma fantazmë”, pohojnë ata.

Në Tiranë reklamohet “ujë Krullia”, në burim s’marrin asnjë litër!

Grupi i Fiks Fare shkoi në disa pika në Tiranë, në lagje të ndryshme ku firma reklamon se shet ujë nga “burimi Krullia”. Janë pika statike të vendosura në pallate në kate të para, ku tregtohet ujë 5, 7 apo 10 litra kundrejt një çmimi. Në të gjitha tabelat është vendosur “ujë nga burimi Krullia”.

Fiksi shkoi sërish në fshatin Shëngjin, ku një autobot filmohet duke mbushur ujë në “fabrikë”. Vendi është një godinë 7-8 metra katrorë, e mbyllur dhe s’ka asnjë pajisje filtruese apo “fabrikë” për ujin e pijshëm.

Gazetarët bisedojnë me një shofer, i cili thotë se do të kontaktojë me firmën dhe se autoboti i tij mban dhjetëra tonë. “Jemi nga firma ‘Shëngjergji’. Këtu më kanë thënë t’a mbush, unë jam vetëm punëtor”, thotë ai, ndërsa konfirmon se ai i bën të gjitha, mbushjen dhe transportin.

Lëshoi shkresë për ujin, administratori i Shëngjergjit gënjen: S’kam dijeni!

Fiksi bisedoi me kryeplakun e fshatin Shëngjin, i cili thotë se “s’kam firmosur asnjë dokument për të dhënë burimin”. Ai pohon se s’ka dijeni se kush po vjen dhe çfarë do të bëj.

Ndërkohë, gazetarët kontaktojnë në telefon me administratorin e Njësisë Shëngjergj, Shpëtim Sina, duke e pyetur se çfarë uji merr firma dhe çfarë leje ka aktualisht. Ai thotë se ka marrë dijeni nga vetë firma se ka një leje, por këtë gjë e ka mësuar vetëm në muajin e fundit kur dhe banorët kanë bërë protesta.

“S’kam pasur asnjë dijeni më përpara. Unë s’di gjë të jetë bërë ndonjë dëgjesë publike apo të jenë pyetur banorët. As unë s’kam pasur dijeni më para. Na erdhi si e papritur”, pohon ai.

Ndërkohë, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, administratori i Njësisë Shëngjergj, Shpëtim Sina, në dhjetor të vitit 2020 i ka dhënë subjektit “Blerim Ndou” një dokument për “dhënie pëlqimi për përdorim uji të pijshëm”.

Në dokument saktësohet se firma ka bërë kërkesë në këtë Njësi Administrative për të mësuar nëse ka pronësi burimi i Ujit Krullia, me qëllim tregtim uji të ambalazhuar.

“Ky burim vetëm për periudhën korrik-shtator përdoret nga banorët për vaditjen e tokave bujqësore përreth tij, ku lejohet përdorimi i tij vetëm natën dhe nëse banorët nuk e përdorin. Edhe ditën mund të përdoret për këtë aktivitet. Për sa më sipër jemi dakord dhe japin pëlqimin tonë si institucion që kjo pasuri të merret nga ana juaj një pjesë dhe të përdoret për biznes me qëllim tregtim uji të ambalazhuar”, thuhet në dokument.

Administratori gënjeu hapur kur i tha grupit të Fiks Fare se “s’kam dijeni”! Fiksi ka analizuar edhe dokumente të tjera, ku ka mësuar se pas këtij pëlqimi firma ka marrë një leje nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, me përdorim 5 vjeçar për Ujin Krullia. Por deri më tani ka gënjyer hapur, pasi në atë burim s’ka marrë asnjë litër ujë.

Top Channel