Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka deklaruar se AKU do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoriatet e ushqimit.
Denaj ka deklaruar se do të krijohet një institucion që do të zbatojë politikat, për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve. Ministrja shtoi se ky institucion nuk do të varet nga një drejtor i përgjithshëm, as nga ministri, por nga një sistem i tërë.
Vendimi vjen pas skandalit të hyrjes në vendin tonë të tonelatave me mish pule që ishte i infektuar me salmonelë. Po ashtu, në fund të vitit 2024, në treg u zbulua se ishin nxjerrë mandarina me përmbajtje të lartë pesticidesh, të dëmshme për njerëzit, që ishin kthyer mbrapsht nga shtetet e huaja.
“Katër ngarkesa me mandarina ishin mandarina eksporti. 35 janë bllokuar nga Greqia dhe Italia që janë vende të BE-së. Ky nuk është një fenomen shqiptar, nuk po e relativizoj që edhe ata qenkan më keq se ne, por dua të them se ky produkt bëhet duke rritur shkëmbimin e informacionit. Kur ra gripi i shpendëve në Kroaci, ne bëmë bllokimin e importeve, apo kur ka një problem në Rumani, na intereson edhe ne. Këto janë protokolle që ne i kemi vendosur në ligj. Në zbatim të tyre ka inspektorë dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
Në shtator të vitit të kaluar ka kaluar një ligj që do të vihet në zbatim deri në fund të vitit, me të gjitha aktet juridike që inspektoriatet do të riorganizohen, AKU do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoriatet e ushqimit. Të gjitha do të krijojnë një institucion që do të zbatojë politikat e tij, për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve dhe nuk do të varen nga një drejtor i përgjithshëm, as nga ministri, por nga një sistem i tërë, sepse nuk mund të menaxhojmë vetëm me njerëz, por nga tre nivele monitorimi”– tha Denaj.






