Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Karçanaj u pa teksa hynte e vetme në godinën e SPAK, ndërsa vijon të jetë nën hetim për çështjen që lidhet me procedurat e disa tenderëve publikë të zhvilluar nga AKSHI.

Më herët, Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish-zyrtares së lartë, duke i krijuar mundësinë që të hetohet në gjendje të lirë. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së saj për zbutjen e masës së mëparshme kufizuese.

Çështja lidhet me hetimet e nisura nga SPAK për dyshime mbi shkelje të ligjit në procedurat e prokurimeve publike. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme ndërmori veprime ndaj disa personave të përfshirë në dosje, mes tyre edhe ish-drejtoreshes së AKSHI-t.

Për Karçanajn, Gjykata e Posaçme kishte vendosur fillimisht masën “arrest në shtëpi”, ndërsa për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj u caktua masa më e rëndë e sigurisë, “arrest me burg”.

Hetimet u shoqëruan edhe me kontrolle të zhvilluara nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga Policia e Shtetit. Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet ushtruan kontrolle në disa ambiente në Tiranë dhe Durrës, përfshirë banesa dhe subjekte private të lidhura me personat nën hetim.

SPAK vijon verifikimet për të zbardhur plotësisht rolin dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve në këtë dosje.