Pak muaj më parë, Gazeta Shqip publikoi abuzimin që është bërë nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me konkursin për përzgjedhjen e kandidatëve që do të ndjekin me bursë të plotë, studimet në Akademinë Ushtarake në Greqi.


Për degën Mjekësi Ushtarake në Akademinë greke doli fitues 18-vjeçari, Aldo Graceni, por  vendin e tij e zuri një konkurrent tjetër, i cili ka 14 pikë më pak dhe që në listëmeritën e dalë nga Qendra e Personel Rekrutimit renditej i katërti.



Kjo çështje është rikthyer në vëmendje ditën e sotme nga emisioni “Shqipëria Live”, ku i ftuar ishte vetë Aldo Graceni, i cili kërkon që të vendoset drejtësi.


Gjatë intervistës në studio, Aldo shprehet se ka bërë provimin më datë 15 korrik dhe se ka marrë pikët maksimale. “Pasi bëmë provimin na lanë një javë kohë, e pastaj do të bënim analizat që duheshin për në ushtri. Kuptova se diçka nuk shkonte kur konkurrentët e tjerë në degat e tjera kishin marrë telefonata që kishin fituar. Ndërsa mua nuk më telefonoi njeri”, tha Aldo.


Sipas adoleshentit, përgjigjet e provimit nuk ishin transparente dhe se renditja nuk u afishua asnjëherë. “Bashkë me prindërit kam shkruar një letër zyrtare ku kërkoja që të më tregonin renditjen time. Unë asnjëherë nuk mora renditjen, por vetëm pikët që kam marrë”, tha ai.



Aldo zbuloi gjithashtu edhe një mesazh që ka marrë nga ministrja e Mbrojtjes, në të cilën thuhen disa kritere të tjera se pse ai nuk kishte fituar bursën. Në mesazh thuhej se Aldo kishte notat më të ulëta në disa lëndë që duheshin për degën që ai kishte konkurruar.


Por në fakt, këto kritere nuk ishin të afishuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme për degën Mjekësi Ushtarake. Kriteret kryesore ishin notat e testeve që bëheshin për pranim së bashku me mesatare.


Gjithashtu Aldo u shpreh se ka marrë telefonata nga përfaqësuesja e ministrisë së Mbrojtjes, e cila i ka kërkuar që t’i tregonte se nga kush i ka siguruar listat për renditjen e tij.