Letrat
Rreth 11 milionë dokumente sekrete të nxjerra prej studios ligjore “Mossack Fonseca”, përmbajnë aferat e fshehura të shumë personave
Liderët
Në të dhëna përfshihet Kryeministri i Pakistanit, Presidenti i Ukrainës, ai i Argjentinës dhe mbreti i Arabisë Saudite
Futbollisti
Një nga futbollistët më të mirë në botë, Lionel Messi, ka në Panama një kompani të quajtur “Mega Star Enterprises”
“Panama Papers” kapërcen “Wikileaks”, 11 milionë dokumente denoncuese
Nanila Allkja
Skandali më i ri botëror dhe jo vetëm, tashmë mbanë emrin “Panama Papers”. Rreth 11 milionë dokumente sekrete të nxjerra prej studios ligjore “Mossack Fonseca”, përmbajnë aferat e fshehura të shumë peronave, që në botë njihen për postet e tyre drejtuese në politikë, por edhe në kompani gjigante e madje edhe në futboll. Sasia e informacionit është e madhe dhe publikut të dhënat po i kalojnë pjesë-pjesë. Mediat në mbarë botën janë vënë në lëvizje dhe kanë nisur kërkimet për njerëzit e vendit të tyre. Ato tregojnë sesi i ka ndihmuar firma klientët e saj të pastrojnë parà, t’u rrëshqasin sanksioneve e të shmangin taksat. Drejtuesit e kompanisë pretendojnë se, organizmi ka funksionuar për 40 vite rresht dhe nuk është akuzuar kurrë për shkelje penale. Dokumentet nxjerrin në dritë një aferë, që përfshin mbi 72 ish-presidentë apo edhe udhëheqës aktualë, siç është Kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugson, që rezulton të mos ketë deklaruar interesin mbi asetet e së shoqes, e tani përballet me thirrjet për dorëheqje. Dokumentet përfshijnë gjithashtu një rrjet miliarda dollarësh pastrimi parash, ku bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. “Mendoj se kjo rrjedhje gjigante informacioni, në fund do të rezultojë grushti më i madh që bota e kompanive ‘offshore’ ka marrë ndonjëherë. E kjo, pikërisht për shkak të masivitetit të dokumenteve të zbuluara”, tha Gerard Ryle, drejtor i “International Consortium of Investigative Journalists” apo ICIJ. Rrjedhja më e madhe e dokumenteve në botën e financës ka nxjerrë në pah fillimisht emrat e disa familjarëve të Presidentit kinez, Xi Jinping, të mbretit saudit Salman, Presidentit argjentinas Mauricio Macri, Presidentit ukrainas Petro Poroshenko, ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, të afërm të kreut të shtetit sirian, Bashar al-Assad, babait të ndjerë të Kryeministrit britanik, David Cameron, Kryeministrin e Pakistanit Nawaz Sharif apo bankës ruse “Rossiya”, e cila është subjekt sanksionesh të SHBA-së dhe BE-së. Nga bota e sportit, sipas “Irish Times”, figurojnë emrat e mbi 20 futbollistëve të mëdhenj, të së kaluarës dhe së tashmes, nga radhët e klubeve të rangut të lartë si Barcelona, Mançester Junajtid dhe Real Madrid. Mes emrave që kanë dalë në dritë janë Leo Messi dhe Ivan Zamorano. Por në listë figurojnë edhe pronarë dhe ish-pronarë, të të paktën 20 klubeve prestigjioze, mes të cilëve Inter, Boca Juniors dhe Real Sociedad. Sa i takon botës së kinemasë, spikat emri i aktorit kinez, Jackie Chan, dhe ai i regjisorit spanjoll, Pedro Almodovar. Kjo rrjedhje masive informacionesh konfidenciale u zbulua më së pari nga gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung”, e cila pas kësaj ia vuri dokumentet në dispozicion të ashtuquajturit konsorcium ndërkombëtar i gazetarëve investigativë. Plot 400 reporterë në 80 vende të botës u angazhuan për zbardhjen e tyre. Përmasat e skandalit, që prek drejtpërdrejt lëvizjet financiare të disa prej personave më të fuqishëm të globit, janë të tilla që kapërcejnë edhe furtunën e shkaktuar prej kabllogrameve të famshëm të “Wikileaks”. Ndërkohë, duhet thënë se lidhur me këtë ngjarje shokuese mbarëbotërore, Ramon Fonseca, një prej themeluesve të firmës ligjore në fjalë, “Mossack Fonseca”, ka pranuar se disa prej dokumenteve janë autentikë dhe janë marrë në mënyrë të paligjshme në shkelje me të drejtën themelore të njeriut për privatësi. Fonseca deklaron se jo të gjithë emrat e publikuar deri më tani janë klientë të firmës së tij. Ai e cilësoi rastin investigativ si një sulm ndaj Panamasë dhe po ashtu shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e hetuese të vendeve të ndryshme.
