Mësuesit, drejtori i shkollës dhe zyra arsimore e Pogradecit ia hedhin përgjegjësinë paraardhësve për gjendjen në të cilën janë nxënësit e shkollws 9-vjeçare në Homezh, të cilët nuk dinë të lexojnë.
Pas transmetimit të skandalit në Fiks Fare ku nxënësit e shkollës në fshatin Homezh të Pogradecit, janë pothuajse analfabetë, gazetarët kontaktuan me prindërit, mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle për të mësuar sesi është krijuar kjo situatë e papranueshme.
Prindërit e fëmijëve mendojnë se kjo gjendje është krijuar për shkak të mungesës së sistemit parashkollor, pasi prej vitesh ka munguar kopshti në këtë shkollë. Prondërit pohojnë se menjëherë pas ngritjes së problemit në Fiks Fare, tashmë është emëruar edhe një edukatore.
Ndërsa mësuesi përgjegjës i komanduar në këtë shkollë prej një jave, Bedri Mokrari, deklaron se kjo situatë mund të jetë krijuar për shkak të viteve të mëparshme, pasi ai ka vetëm rreth një vit që është emëruar në këtë institucion arsimor. Po ashtu, një tjetër pretendim i tij është fakti se fëmijët janë në prag të vitit të ri shkollor dhe shkëputja nga leximi mund të ketë ndikuar tek ata derisa të orientohen me vitin e ri shkollor.
Sipas tij, aktualisht, ai është mësues i ciklit të ulët, por që prej një jave është komanduar mësues përgjegjës për shkollën, pasi ai që ishte, ka emigruar në SHBA.
Ai thotë se kronika e Fiks Fare i ndihmon për të përmirësuar punën e tyre dhe që deri në fund të vitit, kjo situatë do të ketë ndryshim rrënjësor, pasi kjo vihet re edhe te brezat e ciklit të ulët, ose tek ata që sapo janë hedhur në ciklin e lartë, pikërisht në klasën e gjashtë. Ai thotë se kontrolle ka pasur dhe që në provimin e 9-vjeçares, provim që është kryer në tjetër shkollë, niveli mesatar i nxënësve të nxjerrë nga kjo shkollë ka qenë i ulët, por që ka pasur edhe raste që kanë marrë nota të larta.
Edhe mësuesi i gjuhës shqipe, Fejzi Zhupa, i cili ka rreth dy vite që është emëruar, thotë se probleme janë hasur, por jo në gjendje aq të rëndë, ndërkohë që po punohet për përmirësimin e situatës .Madje, ai thotë se lëndët si gjuha dhe matematika nuk jepen në grupe kolektive, por secila klasë bën mësim veç e veç.
Shefi i zyrës arsimore në Pogradec, Ilir Torra, në një intervistë për Fiks Fare falenderoi emisionin për shqetësimin e bërë prezent dhe tha se brenda 2-3 ditësh do të ngrihet një grup pune inspektimi,.
Për zyrën arsimore të Pogradecit, niveli i ulët i nxënësve është vënë re në provimet e 9-vjeçares, por vetëm 2 prej tyre kanë ngelur, pasi të tjerët, pavarësisht notave të ulëta, kanë kaluar testin e ciklit të lartë. Gjithsesi, ai tha se pas një inspektimi të hollësishëm, nëse do të ketë mangësi në performancën e mësuesve, do të merren edhe masat përkatëse.
27 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)