Dalin detaje të reja lidhur me hetimet për shkeljet dhe përvetësimin e dyshuar të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.
Mësohet se ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurori një ditë para shkarkimit të saj, duke e dërguar denoncimin përmes postës.
Në kallëzim, Mataj akuzon shefen e financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola D. për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, duke pretenduar se ato kanë përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme.
Sipas pretendimeve të saj, Mataj kishte sinjalizuar që në muajin mars Administratorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare për veprime që i konsideronte abuzive nga ana e dy punonjëseve, duke kërkuar marrjen e masave administrative ndaj tyre.
Ish-drejtoresha mohon të ketë pasur akses në tërheqjen e fondeve nga arka e filialit apo në llogaritë bankare, duke kundërshtuar çdo përgjegjësi për mungesën e konstatuar të parave.
Ndërkohë, një ditë më parë, edhe Posta Shqiptare depozitoi kallëzim penal ndaj Elisabeta Matajt, shefes së financës, arkëtares kryesore dhe punonjësve të tjerë të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të kësaj çështjeje.
