Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar me iniciativë inspektorin e policisë Kevin Kosova, me detyrë Ndihmës Specialist/Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas, pas dyshimeve për përfshirje në veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vendimi për ndalimin e punonjësit erdhi pas transmetimit të një materiali investigativ në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, ku shfaqeshin pamje ku një shtetas (ende i paidentifikuar) i ofron policit shumën prej 10.000 lekësh të reja në këmbim të lejimit të kalimit pa probleme në aeroportin ndërkombëtar.
Sipas hetimeve, më datë 7 tetor 2025, ky shtetas është paraqitur për të udhëtuar dhe ka dorëzuar dokumentet e udhëtimit te punonjësi tjetër i policisë, Eduart Leci, i cili ka kryer procedurat e regjistrimit. Ndaj Leci-t janë referuar materialet hetimore në gjendje të lirë, pasi dyshohet për “Shpërdorim të detyrës”.
Tashmë materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë. Arrestimi i policit Kevin Kosova ngre sërish shqetësime mbi fenomenin e korrupsionit në pikat kufitare dhe nevojën për kontroll më të rreptë të integritetit të uniformave blu.