Është shpallur tanimë fituesi i tenderit të shumëpërfolur me vlere 9.3 milion euro për blerje barnash, të cilin Ministria e Shëndetësisë e hapi në fund të vitit të kaluar.
Ky tender u denoncua në emisionin investigativ “Fiks Fare”, pasi ngjalli dyshime të forta se fituesi ishte paracaktuar dhe gara u hap posaçërisht për kompaninë farmaceutike “Rejsi farma”, në mënyrë që në arkën e saj të kalonte një shumë e majme prej 8.5 milion euro.
Dhe rezultati tanimë është i dokumentuar! Në 10 shkurt kjo kompani u shpall fituese pasi ishte e vetme në garë, nëse do të quhej e tillë. Nga ana tjetër, në dokumentet e Agjencisë së Prokurimit Publik, “Rejsi Pharma” është shënjuar me flamur të kuq.
Më konkretisht janë blerë 4 lloje medikamentesh, të cilat futen me marrëveshje kuadër, me urdhër ministri, një procedure e cila vjen pasi këto barna ishin regjistruar më herët, por nuk ishin ne treg, pra nuk janë importuar më parë në territorin e Shqipërisë.
Ministria e Shëndetësisë ofroi për blerje barnash në QSUT një fond prej 9 milionë Euro. Rreth 90% e këtij fondi do i shkojë kësaj kompanie, duke siguruar medikamente për vetëm 10-30 pacientë, ndërkohë që për mijëra pacientë të tjerë, vijon mungesa e barnave.
E pyetur nga Top Cannel, Ministria e Shëndetësisë përgjigjet se kanë qenë kërkesa të shefave të shërbimeve. Por në fakt, Drejtoria e QSUT nuk ka kthyer përgjigje se si u bë kërkesa për këto 4 barna sepse në fakt, shefat e shërbimeve kanë një mori kërkesash të tjera për të përmbushur nevojat e pacienteve me barna.
Në përgjigjen që është kthyer nga Agjencia e Barnave, thuhet se këto barna janë riregjistruar që në vitin 2022 por nuk kanë hyrë asnjëherë në territorin shqiptar. Pra, ato futen për herë të parë tani, pasi kompania farmaceutike u shpall fituese e tenderit nga ministria e Shëndetësisë.




