“Fiks Fare”


Dosja me gafa e Gjykatës së Shkodrës: Nëna vetëm 10 vjet më e madhe se i biri


I njëjti person figuron se ka vdekur dy herë, gruaja bëhet nënë që në moshën 10-vjeçare. Gjyqtari që ka firmosur vendimin i ka kaluar këto fakte pa ia vrarë syrin. Kjo ka ndodhur në Shkodër gjatë një procesi gjyqësor të zhvilluar për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Bëhet fjalë për familjen Cokaj. Djali i kësaj familjeje, Rexhepi, u ankua në emisionin “Fiks Fare” në lidhje me shkeljet procedurale të bëra gjatë këtij procesi gjyqësor të nisur me vdekjen e nënës së tij. Çështja me objekt “Lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë të së ndjerës Hasije Cokaj” u shqyrtua nga gjyqtari Andri Ymeri. Por pas marrjes së vendimit, një nga fëmijët e familjes Cokaj nuk ishte dakord me të dhe për këtë arsye vendosi hapjen e një procesi tjetër gjyqësor, duke kërkuar pavlefshmërinë e testamentit të nënës. Çuditërisht, edhe ky proces gjyqësor u drejtua nga i njëjti gjyqtar, z. Andri Ymeri.


Personi që çeli këtë proces gjyqësor kësaj radhe është e motra e Rexhepit, Lirie Cokaj. Në kërkesëpadi qëndrojnë gjeneralitetet e plota të saj. Por, sipas vëllait që u ankua në “Fiks Fare”, kjo zonjë disponon një pasaportë britanike me të dhëna krejt të ndryshme nga ato që janë paraqitur në gjyq. Sipas këtij dokumenti ajo quhet Lirije Coku, lindur në Lluzhan të Kosovës dhe jo në qytetin e Shkodrës, siç figuron në dokumentin e paraqitur në gjyq. Rexhep Coku thotë gjithashtu se edhe vëllai i tij, Bashimi, i cili ka përfaqësuar motrën në gjyq, ka probleme flagrante në dokumentet e tij. “Bashkimi sipas kopjes së pasaportës rezulton i datëlindjes 14 prill 1947. Sipas llogarive i bie që nëna jonë të ketë qenë 10 vjeç kur ka lindur Bashkimin”, thotë me ironi Rexhepi. Sipas tij, gjyqtari ka qenë në dijeni të këtij fakti.


Duke shfletuar dosjen e këtij procesi gjyqësor gjen fakte të tjera tronditëse. Në mes të dokumenteve të paraqitura nga pala kundërshtare dhe të pranuar nga gjyqtari i çështjes, e ndjera Hasije Cokaj është ndarë nga jeta në datën 1 nëntor të 2008, por sipas certifikatës së vdekjes që disponojnë fëmijët, ajo ka ndërruar jetë më 1 janar 2010. Sipas dokumenteve, rezulton që gjykata kishte thirrur në cilësinë e dëshmitares, noteren Violeta Sulkaj. Por noterja u tha gazetarëve të “Fiks Fare” se nuk ka marrë kurrë pjesë në një proces të tillë gjyqësor. Madje këmbëngul se askush nuk i kishte dërguar ndonjëherë një fletëthirrje për t’u paraqitur në gjyq.


Lidhur me këto parregullsi, gjyqtari Andri Ymeri nuk pranoi të jepte asnjë koment, duke këmbëngulur se është shprehur me dy vendimet e tij dhe palët janë të lira të apelojnë. Jashtë kamerës, ai e pranoi se janë bërë vetëm disa gabime të vogla, të parëndësishme.


Por çështja nuk mbyllet me kaq. Rexhep Coku thotë se i është drejtuar Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë të asaj kohe. Sipas Presidencës dhe KLD-së, dosja në fjalë është duke u shqyrtuar.