Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e djeshme Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda ambienteve të gjykatës nga Elvis Shkëmbi.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir.

Zbardhja e ngjarjes

Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja ndodhi menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja. Në momentin që Elvis Shkëmbi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi, kaluan nëpër skaner për t’u futur në gjykatë, pajisja dha sinjalizim alarmi. Megjithatë, roja i sigurisë, sipas të dhënave të Policisë, nuk reagoi, qëndroi i ulur në karrige dhe nuk kreu as kontrollin fizik as regjistrimin e tyre në librin e protokollit.

Pas përfundimit të seancës, Shkëmbi nxori armën dhe qëlloi drejt gjyqtarit Kalaja, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai hapi zjarr ndaj palës tjetër në proces, duke plagosur dy personat e tjerë që ndodheshin në sallë.

Arrestimet

Elvis Shkëmbi u arrestua në flagrancë menjëherë pas krimit. Në pranga ranë gjithashtu xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi, si dhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, për neglizhencë në detyrë.

Homazhet

Për gjyqtarin e ndjerë Astrit Kalaja do të mbahen homazhe shtetërore nesër në Pallatin e Kongreseve. Pas tyre, ai do të përcillet për në banesën e fundit në orën 16:00, në vendlindjen e tij, Stom-Golem, Shkodër.