Një emigrant shqiptar është dënuar me 5 vite burg, pasi u shtir si babai i 13 fëmijëve shqiptarë për t’u siguruar atyre pasaporta të paligjshme britanike, në këmbim të shumave të mëdha monetare.

Sipas mediave britanike, Petrit Musa, 38 vjeç, ishte pajisur me leje qëndrimi me afat të pacaktuar në Mbretërinë e Bashkuar që në vitin 2021. Pas kësaj kohe, atij i janë lëshuar me sukses edhe 13 leje qëndrimi për fëmijë që ai pretendonte se ishin të tijtë.

Megjithatë, më vonë një hetim do të zbulonte se e gjitha ishte një skemë kriminale, nga e cila Musa përfitonte mijëra para. Gjithçka kishte nisur pasi 38-vjeçari ishte përfshirë në borxhe me një grup kriminal, për shkak të problemeve me kokainën dhe lojërat e fatit.

Për të fituar para që të shlyente borxhet, Musa krijoi kontakte duke ofruar shtetësinë britanike për fëmijët shqiptarë, në emër të grupit kriminal. Meqenëse ai kishte leje qëndrimi të pacaktuar, fëmijët e tij do të ishin të kualifikuar për shtetësi britanike.

Ndërkohë, këta fëmijë ishin të nënave shqiptare që kishin udhëtuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe i kishin paguar shuma të mëdha parash bandës për shërbimin. Në periudhën midis qershorit 2022 dhe tetorit 2024, Petrit Musa arriti të siguronte shtetësinë britanike për 13 fëmijë shqiptarë, me të cilët nuk kishte asnjë lidhje gjaku.

Hetimi zbuloi se në fakt Musa kishte arritur t’i shlyente borxhet me paratë e fituara, por e kishte vazhduar aktivitetin kriminal.