Mitingu përmbyllës i Partisë Demokratike në Elbasan është shoqëruar me tensione të forta, duke u kthyer në një përplasje fizike mes disa personave të pranishëm. Si pasojë e sherrit, ka mbetur i plagosur në kokë djali i kandidatit për deputet të PD-së, Luçiano Boçi.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe bashkëshorten e Boçit, Blerina Boçi, e cila përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar incidentin si një “skemë banditeske në veprim të plotë”.

“Zoti thotë: Beteja është e imja. Ajo që ndodhi mbrëmë është një akt i pastër dhune, që do të zbardhet deri në fund,” shkruan ajo, duke theksuar vendosmërinë për të shkuar në rrënjë të asaj që e konsideron një sulm të organizuar.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi identitetin e të përfshirëve apo motivet e sherrit. Incidenti ndodhi në një moment kyç të fushatës elektorale, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, duke rritur tensionet politike në qytetin e Elbasanit.