Një vjedhje është regjistruar gjatë natës në lagjen 16 të qytetit të Korçës, ku objekt i grabitjes ka qenë një dyqan.

Sipas të dhënave paraprake, autori ose autorët kanë thyer xhamin e biznesit për të hyrë brenda, duke marrë rreth 1 milion lekë të vjetra, si dhe produkte të ndryshme dhe cigare.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e ngjarjes.

Hetuesit po këqyrin pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa po mblidhen edhe gjurmë dhe shenja gishtash që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të vjedhjes.