Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka çuar në ekzekutimin e disa masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Burime paraprake bëjnë me dije se në kuadër të aksionit është arrestuar biznesmeni Orest Sota, ndërsa masat e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi nuk janë ekzekutuar, pasi ata rezultojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

Në kërkim është shpallur edhe Edmond Jaupi.
Sipas të dhënave paraprake, personat nën hetim dyshohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale në shuma të konsiderueshme, veprimtari që dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Hetimet kanë marrë shtysë edhe nga komunikimet e zbardhura në platformën e enkriptuar Sky ECC, ku sipas burimeve hetimore janë evidentuar biseda që lidhen me trafikun e drogës dhe qarkullimin e parave të pista.
Operacioni vijon ende, ndërsa pritet që SPAK dhe Policia e Shtetit të japin detaje të mëtejshme mbi personat e përfshirë, akuzat konkrete dhe rezultatet e plota të aksionit.

