Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestat qytetare gjatë komunikimit të përjavshëm me ndjekësit në rrjetet sociale, duke theksuar se ato po zgjerohen edhe në qytete të tjera të vendit.

Sipas Berishës, protestuesit kanë vijuar mobilizimin pavarësisht temperaturave të larta dhe, sipas tij, presioneve nga qeveria. Ai u shpreh se kjo është dëshmi se kryeministri Edi Rama, sipas tij, nuk ka më mbështetje dhe nuk ka të ardhme politike.

“Temperaturat e larta dhe kërcënimet nuk e mposhtën qëndresën e qytetarëve shqiptarë. Çdo ditë që kalon tregon se Rama nuk ka të ardhme. Më shumë se kushdo, këtë e fakton vetë ai, i mbyllur në bunkerin e tij, duke mbajtur fjalime e llafollogji që në shumë aspekte i ngjajnë atyre të diktatorit dikur,” deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve shtoi se nuk i konsideron socialistët si kriminelë, por akuzoi drejtuesit e Partisë Socialiste, duke pretenduar se shumë anëtarë po largohen prej saj. Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për mungesën e reagimit ndaj rritjes së çmimit të karburanteve.

“Në një kohë kur Rama vazhdon llafollogjinë e tij të pafundme, nuk thotë asnjë fjalë për naftën. Ajo ka arritur në 230 lekë”, u shpreh Berisha.