Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka ironizuar protestën e opozitës të mbajtur sot, duke përdorur batutën e radhës me “krushqit”, një shprehje që ai e ka përdorur edhe më herët pas protestave të opozitës gjatë të hënave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan mbi një foto që tregon pjesëmarrje minimale: “Sot krushqit nuk erdhën fare, vetëm hyzmeqarët ishin. Edhe unë mendova mos ta nxjerr sot e lënë vetëm, por me kërkesë të publikut duhet transparencë.”
Kujtojmë se ciklin e komenteve ironike me “krushq” Balla e nisi në protestën e parë të zhvilluar nga opozita më 17 nëntor para Kryeministrisë, ku kreu i grupit më të madh parlamentar iu referua batutës së aktorit Besnik Çinari:
“Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë!”
