Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social “Facebook” një karikaturë me simbole të Bashkimit Europian, ku ka përfshirë edhe figurën e Skënderbeut, duke e lidhur me aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Në mesazhin e tij, Rama ftoi qytetarët të mbështesin Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se Shqipëria meriton të jetë “në sofrën e madhe të qytetërimit demokratik”.

Gjithashtu, kryeministri ndau një fotogaleri nga takimi i tij me shqiptarët e Athinës, ku u shpreh optimist për mbështetjen e tyre. “Nga Greqia do të na vijë një buqetë shumë e bukur duarsh që thonë 5 më 11 maj”, shkroi Rama, duke falënderuar komunitetin shqiptar atje.