Sokrat Vata, i dyshuari kryesor për vrasjen e turistit 20-vjeçar portugez në Ksamil, ka mbërritur në Gjykatën e Sarandës, ku pritet të njihet me masën e sigurisë.
Vata është transportuar drejt ambienteve të gjykatës nën masa sigurie dhe i shoqëruar nga efektivët e Policisë.
Në momentin e mbërritjes së tij, jashtë gjykatës ndodheshin edhe të afërm të 29-vjeçarit, të cilët e kanë pritur duke i dhënë kurajë.
“Sokrat, jemi këtu o shpirt”, dëgjohet t’i drejtohen familjarët në momentin kur ai shoqërohet nga efektivët drejt ambienteve të gjykatës.
Seanca në Gjykatën e Sarandës zhvillohet në kuadër të hetimeve për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje për të cilën janë arrestuar edhe persona të tjerë.
Vata dyshohet se gjatë konfliktit të ndodhur në ambientet pranë kompleksit “Principotes” ka goditur me thikë 20-vjeçarin portugez, duke i shkaktuar plagë fatale.
Në dëshminë e dhënë përpara grupit hetimor, Vata ka paraqitur versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se konflikti kishte nisur mes turistëve dhe se thika e përdorur gjatë përplasjes i përkiste viktimës.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë ndaj tij dhe personave të tjerë të arrestuar në lidhje me ngjarjen.
