Dy vëllezër nga Kukësi, Fatmir dhe Shkëlqim Matraxhi, të moshës 38 dhe 28 vjeç, u arrestuan nga policia pasi në shtëpinë e tyre në Laknas u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabis sativa. Ata kishin marrë eksperiencë për këtë aktivitet të paligjshëm në Angli, ku kishin punuar më herët në të ashtuquajturat “shtëpi bari”.
Gjatë operacionit, policia gjeti 20 rrënjë kanabisi, të cilat ishin rritur deri në 60 cm me ndihmën e 5 llambave speciale, 3 ventilatorëve freskues, 2 pajisjeve për rregullimin e temperaturës dhe 2 filtrave pastrimi të aromave. Për të shmangur dyshimet, vëllezërit kishin instaluar edhe një sistem muzikor, të porositur online, për të kamufluar zhurmën e aparaturave.
Sipas burimeve policore, kjo dyshohet të ishte dora e dytë e mbjelljes, pasi një sasi e mëparshme ishte shitur. Përveç dy vëllezërve, në hetim është vënë edhe babai i tyre, Zitë Matraxhi, pasi kishte dijeni për aktivitetin, por nuk e kishte raportuar.
Gjithashtu, Endrit Paja, 29 vjeç, punonjës i OSHEE, u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se ka ndihmuar vëllezërit duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
