Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Kolumbia dhe Italia, në kuadër të operacionit “The Wanted”.

Policia e Shtetit njoftoi se, në bashkëpunim me Interpol Bogotën dhe Interpol Romën, u realizua ekstradimi i shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, si dhe i shtetasit shqiptar Fadil Ternova, 38 vjeç.

Sipas autoriteteve, 53-vjeçari kolumbian ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

Nga hetimet rezulton se ai dyshohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, i nisur nga porti i Buenaventurës në Kolumbi, i cili kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Shqipërinë. Sipas Policisë, marrësi i ngarkesës ishte një shtetas shqiptar, ndërsa 53-vjeçari kishte ndjekur të gjithë itinerarin e transportit deri në mbërritjen e ngarkesës.

Në kuadër të të njëjtit operacion u ekstradua nga Italia edhe Fadil Ternova, 38 vjeç, i lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale.

Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tij rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje me armë zjarri, armëmbajtje pa leje, goditje për shkak të detyrës, si dhe një dënim të mëparshëm për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Hetimet tregojnë se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ai dyshohet se tentoi të vriste me armë automatike shtetasin A.P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.

Ekstradohet nga Kolumbia, pjesëtari i një grupi kriminal, i cili akuzohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, nga porti Buenaventura, në Greqi dhe Mal të Zi, me destinacion Shqipërinë.

Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale intensive të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Bogotës, Kolumbi dhe të Interpol Romës, Itali, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, gjatë të cilave u ekstraduan në Shqipëri:

•shtetasi kolumbian i arrestuar në Kolumbi, S. R. R., 53 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formë të veçantë, atë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë periudhës 7 korrik 2022–12 nëntor 2022, Policia e Shtetit dhe autoritetet në Mal të Zi kanë shkëmbyer informacione lidhur me një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik të transportuar me anije, në portin e Tivarit. Ngarkesa, nga të dhënat paraprake të administruara për interesa të procedimit, rezultonte se ishte nisur nga porti Buenaventura, Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut, Greqi, kishte destinacion tranzit Malin e Zi dhe kishte marrës një shtetas shqiptar. Nga hetimet e mëtejshme të kryera për këtë rast rezultoi se shtetasi S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike, përgjatë itinerarit Kolumbi-Greqi-Mal i Zi, deri në destinacionin final;

•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:

-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;

-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.