Bashkimi Europian, për herë të parë që nga fillimi i misionit detar “Atalanta”, në Bririn e Afrikës, ka sulmuar me anë të bombardimeve ajrore bazat e piratëve në brigjet e Somalisë. Lajmi u njoftua nga ana e ushtrisë, sipas të cilës, operacioni u zhvillua në marrëveshje me Qeverinë e përkohshme të Somalisë, pas vendimeve të Këshillit të BE-së të 23 marsit të këtij viti, dhe në përputhje me Rezolutën e vitit 1851 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Si rezultat i sulmit nuk pasur asnjë të plagosur apo të lënduar nga shtetasit e Somalisë .
Në një njoftim të misionit detar europian, operacioni, i cili arriti të përmbushej vetëm me anë të avionëve, pra në rrugë ajrore, është cilësuar “si një shënjestër e saktë dhe proporcionale” në mënyrë të atillë që të shkatërronte vetëm pajisjet dhe bazat e piratëve në tokë.
“Ne besojmë se ky veprim i forcave europiane detare do të rrisë presionin mbi piratët dhe do të ndikojë në reduktimin e përpjekjeve të tyre për të pushtuar detin duke sulmuar anijet tregtare”, – tha nënadmirali Duncan Potts, kreu i misionit.
“Shumë nga banorët vendas dhe peshkatarët, të cilët kanë vuajtur gjithmonë për shkak të piratëve, mund të ndihen më të sigurt, pasi objektivi i sulmit tonë kanë qenë pikërisht linjat e furnizimit të piratëve, dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, – thonë përfaqësuesit e misionit të BE.
Sulmi i bazave të piratëve në terren, që shënon edhe një ndryshim në strategjinë e deritanishme të misionit, është sipas ushtarakëve europianë, vetëm një përpjekje për të minimizuar sa është e mundur veprimtarinë kriminalë të zbatimit të piraterisë në det.
Misioni ‘Atalanta’ aktualisht ka nëntë luftanije dhe pesë avionë zbulimi detar. Sipas shënimit të komandës, baza e të cilës është në Northwood, Middlesex, në Mbretërinë e Bashkuar, arsyeja e këtij sulmi tokësor ndaj piratëve është tërësisht i justifikuar:
Ata kanë arritur të sulmojnë anijet tregtare deri në 1 750 milje larg bregut somalez. Prandaj, parandalimi i tyre për të dalë në det të hapur është një hap vendimtar për të luftuar mosndëshkimin e tyre gjatë kohës kur janë në tokë dhe për të siguruar suksesin e operacioneve të ardhshme anti-piraterisë.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
