Një sulm në Mogadisho nga militantët lë disa dhjetëra të vrarë e plagosur


SomaliaQeveria e Somalisë u njoh dje si përfaqësuese legjitime e këtij vendi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që së paku 19 njerëz mbetën të vrarë nga një sulm i organizuar prej militantëve të lidhur me Al-Kaedën në kryeqytet.


“Reuters” raporton se një bombë shpërtheu pranë gjykatës në Mogadisho, ndërsa njerëz të armatosur hynë në ndërtesë. Forcat e sigurisë mbërritën në vendngjarje dhe rrethuan militantët, duke nisur një betejë të ashpër. Më vonë, një bombë shpërtheu pranë një autokolone të ushtarëve të Unionit Afrikan dhe organizatës humanitare Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë.


Militantët e Al Shabaab thanë se ata qenë përgjegjës për sulmet. Siguria në qytetin bregdetar është përmirësuar ndjeshëm që kur Shabaab u detyrua të largohet pas një ofensive ushtarake të vitit 2011, të kryer nga trupat qeveritare dhe nga forcat ushtarake të Unionit Afrikan. Që nga ajo kohë, rrugët kanë filluar të mbushen me trafik, ndërsa shumë ndërtesa po riparohen nga somalezët e kthyer nga emigrimi. Por kërcënimi mbetet i lartë nga Shabaab, pasi kjo organizatë kontrollon pjesën rurale të vendit.


“Ne kryem një aksion të shkëlqyer në Mogadisho sot. Vramë 26 njerëz përfshirë ushtarë dhe punonjës gjykate”, tha zëdhënësi i organizatës. “Ne ngarkuam pesë muhaxhedinë specialë për gjykatën, katër prej tyre hynë dhe vranë njerëzit brenda. Muhaxhedini tjetër me makinën e tij bombë shpërtheu kur ushtarët e qeverisë u mblodhën te dera.”


Forcat e sigurisë arritën të shpëtojnë kryetarin e Gjykatës Supreme dhe zyrtarë të tjerë, pasi i zbritën nga gjykata me shkallë.


Fondi Monetar Ndërkombëtar njohu dje qeverinë e Somalisë pas një prishjeje marrëdhëniesh që zgjati për 22 vjet. Kjo lëvizje do t’i lejojë FMN-së të ofrojë asistencë teknike për vendin e varfëruar në Bririn e Afrikës. Gjithsesi FMN-ja nuk do të ofrojë kredi për Somalinë, për sa kohë nuk do të zgjidhet një borxh i vjetër prej 352 milionë dollarësh.


“Fondi Monetar Ndërkombëtar sot njeh qeverinë federale të Somalisë, të udhëhequr nga Presidenti Hassan Sheikh Mohamud, duke i hapur rrugën rilidhjes së marrëdhënieve pas 22 vjetësh”, tha FMN-ja në një deklaratë.


“Vendimi është në përputhje me mbështetjen ndërkombëtare për njohjen e qeverisë federale.”


Megjithëse Somalia ka qenë anëtare e FMN-së në gusht 1962, gjatë viteve të luftës civile nuk kishte qeveri me të cilën të mund të flitej.


Donatorët ndërkombëtarë janë riangazhuar gjatë kohëve të fundit me qeverinë e Mogadishos që nga zgjedhja e Presidentit Mohamud vitin e kaluar. Ky ishte votimi i parë në këtë vend që nga koha kur padronët e luftës rrëzuan diktaturën ushtarake të Mohamed Siad Barre më 1991.


SHBA-ja njohu zyrtarisht Somalinë në janar, duke pranuar progresin e vendit drejt stabilitetit politik dhe përpjekjet për t’i dhënë fund kryengritjes së militantëve të Shabaab.


Megjithëse Uashingtoni nuk i ndërpreu kurrë formalisht lidhjet diplomatike me Somalinë, më 1993-shin, 18 ushtarë amerikanë u vranë, pasi militantët rrëzuan dy helikopterë amerikanë. Kjo shënoi edhe zhytjen e Somalisë në kaos.