Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e paraqitur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja. Vendimi është marrë në mbledhjen e datës 24 tetor 2025. Në dispozitivin e vendimit, Gjykata ka konstatuar se mandati i gjyqtares Bejtja ka përfunduar më 25 prill 2025, duke urdhëruar njëkohësisht njoftimin e Presidentit të Republikës si organi i emërtesës, si dhe njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ky vendim hap rrugën për plotësimin e një vendi vakant në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin procedurat pritet të nisin nga Presidenti i Republikës. Sipas parashikimeve ligjore, Kreu i Shtetit do të shpallë garën për zëvendësimin e gjyqtares Bejtja, duke ndjekur procedurat përkatëse të përzgjedhjes dhe emërimit.

Vetëm një javë më parë, më 16 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte dhënë vendimin që i jepte të drejtë Presidentit Begaj në interpretimin se mandati i gjyqtares Bejtja kishte përfunduar, duke i hapur rrugë procesit të shpalljes së vakancës dhe njoftimit të institucioneve përkatëse.

Njoftimi:

Vendimi përfundimtar do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës, si dhe do u dërgohet palëve në proces, i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese

  1. Presidenti i Republikës së Shqipërisë Nr. 1/1 (P) 2025 i Regjistrit Themeltar, datë 30.01.2025

Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. 24.10.2025 -Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Sonila Bejtja, në datën 25.04.2025.

-Njoftimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si organi i emërtesës.

-Njoftimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.