Në Tiranë po zhvillohet protesta e 21-të më 21 qershor 2026, ku mijëra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare dhe diaspora janë mbledhur në qendër të kryeqytetit.

Aktivisti Arben Kola njoftoi se marshimi i sotëm do të zhvillohet rreth godinës së Kryeministrisë, duke theksuar se pjesëmarrësit kanë zgjedhur të qëndrojnë në shesh edhe gjatë orëve të mbrëmjes. “Shumë shqiptarë kanë zbritur në shesh për ta gdhirë sonte këtu. Ata që kanë dëshirë janë të lirë”, u shpreh ai.

Protesta po karakterizohet nga një pjesëmarrje e gjerë, ku organizatorët dhe pjesëmarrësit e cilësojnë si një nga tubimet më të mëdha të zhvilluara deri më tani, me përfshirje të madhe të diasporës shqiptare.

Sipas organizatorëve, marshimi rreth Kryeministrisë është pjesë e vijimit të protestës, e cila prej ditësh kërkon ndryshime në klasën politike dhe largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Ata e cilësojnë këtë protestë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare që, sipas tyre, ka marrë përmasa historike dhe pritet të mbahet mend gjatë në zhvillimet politike në vend.