Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar ndaj disa protestuesve shqiptarë që kanë protestuar në New York, në një kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla i cilëson protestuesit si persona që, sipas tij, nuk kanë lidhje me komunitetin shqiptar në SHBA dhe pretendon se ata janë paguar për të protestuar. Ndër të tjera Balla bën me dije se bëhet fjalë për “persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari”.

REAGIMI

Këto tre katër sorra që shfaqen kudo të njëjtët, njëri prej tyre një M.M. i njëjti edhe para dy vitesh në New York edhe në Londër, pastaj në Bulevard me ditë të tëra, janë persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari. Nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët e amerikës, janë paguar për turpin e tyre për të ardhur këtu. Ndërsa Kryeministri Rama mbron në New York çlirimtarët dhe flet për Shqipërinë Europiane, këta i bëjnë hyzmetin atyre që i paguajnë. E thjeshtë prej kujt i marrin urdhërat. P.s. Shikojeni dhe reagimin e policisë amerikane, meqë kritikoni Policinë e Shtetit.