Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 45-të, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se tubimet do të vijojnë deri në muajin shtator.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u vendosën përpara godinës së Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime kundër qeverisë dhe klasës politike.

Gjatë tubimit, aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se protesta po gjen mbështetje edhe jashtë vendit, duke iu referuar një grupi qytetarësh të mbledhur në Bruksel, ku po zhvillohet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Sot janë mbledhur qytetarë në Bruksel për t’i treguar Marta Kos se si qëndron e vërteta e qeverisjes shqiptare. Të vetmit që nuk e shohin protestën janë kryeministri dhe shërbëtorët e tij”, u shpreh Kokaj.

Një ditë më parë, organizatorët sqaruan se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e klasës politike dhe krijimi i një qeverie teknike. Ata bënë gjithashtu thirrje që protesta simbolikisht të zhvendosej në Bruksel, në të njëjtën ditë kur Shqipëria zhvillon konferencën ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e klasës politike.