Julian Gjoshi, autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja në Ndroq të Tiranës, nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai është arrestuar më parë, në janar të vitit 2021, nga policia e Tiranës, pasi u kap me një pistoletë pa leje gjatë një kontrolli në qytet. Gjoshi, në atë kohë 23 vjeç, ishte ndaluar ndërsa udhëtonte i dehur me një automjet në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku policia sekuestroi armën e zjarrit të tipit “Beretta” dhe fishekët.

Pas arrestimit, ai u lirua, duke rikuperuar lirinë, ndërkohë që tani është shpallur në kërkim për vrasjen e Dedjas, një ngjarje që ka tronditur qytetin e Tiranës.

Një tjetër lidhje e rëndësishme e Julian Gjoshit është se ai është kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i cili është në kërkim nga policia për lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës, një ngjarje që dyshohet të ketë lidhje me pazare droge.

Për më tepër, emri i Julian Gjoshit është shfaqur edhe në hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ai është përmendur në bisedat e përgjimeve të kryera ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Ky i fundit akuzohet për shitjen e sekreteve hetimore tek Altin Hajri dhe dyshohet të ketë ndërhyrë për lirimin e kunatit të tij, Julian Gjoshit, i cili ishte arrestuar në vitin 2021 për armëmbajtje pa leje. Sipas dosjes së SPAK, Hajri ka kërkuar nga Çyrbja të ndikojë për lirimin e Gjoshit, duke ofruar deri në 20 mijë euro për të ndihmuar në fshirjen e provave.

Policia ka konfirmuar se pas vrasjes së Dedjas, Julian Gjoshi është arratisur me një automjet tip “Benz ML” në ngjyrë të zezë dhe ka drejtuar drejt Durrësit. Aktualisht, forcat e policisë janë në ndjekje të tij dhe po zhvillojnë operacione për kapjen e tij.