Dita e djeshme shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit më 11 maj.
Nesër, shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit, ku do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament. Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Kuvendin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.
Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.
Ndërkohë që sot është heshtje elektorale, mbrëmë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike mbyllën fushatën zgjedhore në Tiranë ku dy liderët kryesorë të dy forcave politike në vend dha mesazhet e tyre për votuesit.
Socialistët zgjodhën “Parkun Olimpik” si vendin kryesor për të mbyllur fushatën zgjedhore, ndërsa demokratët u pozicionuan në krahun tjetër të Tiranës në “Bulevardin e Ri”. Flamujt kuqezi të BE dhe SHBA mbizotëronin në të dyja “sheshet’ ku simpatizanët dhe anëtarët e dy forcave politike ishin grumbulluar.
Ndërkohë këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.


