Kryeministri Edi Rama foli në Asamblenë e PS-së për rritjen e pagës mesatare dhe indeksimin e tyre.
Ai u shpreh se janë rritur pagat e mjekëve, mësuesve, punonjësve të policisë, ushtarakëve dhe të administratës.
“E kemi filluar punën me 300-400 milion mesatarisht investime të huaja, kemi shkuar mbi 1.5 miliard; e kemi filluar punën me 2 milion e ca turistë. Gjithë shqiptarët që dilnin jashtë kur futeshin në Rinas ose në Kakavijë i numëronin për turistë, 2 milion e ca ju dilnin.
12 milionë me pasaportë të huaj kemi arritur ne të kemi në Shqipëri. E kemi marrë vendin me një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar nën 10 miliard. Sot jemi 27 miliard dhe në 2030-n do shkojmë 35 miliard.
E kemi marrë me më pak se 3000 euro për frymë, sot jemi 11 mijë e 300 mos gabohem për frymë.
E kemi marrë me një me një pagë mesatare qesharake. Qesharake! Sot kemi pagën e përgjithshme mesatare 870 euro se rritet në mënyrë të vazhdueshme paga mesatare për shkak se rritet në sektorin privat dhe duhet me i ndjek çdo tre muaj ndërkohë që në sektorin publik ka shkuar mbi 1000 euro.
Kemi rritur pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve, të administratës, por sot kemi më në fund arritur të bëjmë dhe diçka tjetër. Kemi futur dhe për pagat indeksimin, gjë që e dinim që ishte i nevojshëm, por nuk e bënim dot.
Indeksimin e bënim vetëm për pensionet, se nuk mund t’i linim pensionistët pa rritje pensionesh dhe pa indeksim, se i binte që t’i linim në këmbët e inflacionit dhe prandaj kur rritja e pagës ishte x, inflacioni sado që e kemi pasur gjithmonë të ulët, e ulte fuqinë blerëse. Sot s’ka më, sot çdo pagë ka edhe indeksimin e inflacionit.
I them këto me pasion sepse realisht është shumë e rëndësishme që ne të jemi me këmbë në tokë, me kokën lart dhe të shohim përpara”, tha Rama.
