Miloçeri i Malit të Zi do të presë sot Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, një takim i rëndësishëm që bën bashkë drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, krahas kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe homologëve të tjerë nga rajoni.

Mes pjesëmarrësve janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dhe kancelari i Austrisë, Christian Stocker.

Në tryezën e diskutimeve do të jenë gjithashtu ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Diskutimet do të përqendrohen te forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të samitit, komisionerja Marta Kos pritet të zhvillojë takime të veçanta me presidentin malazez Jakov Milatoviç dhe kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç.

Në qendër të këtyre bisedimeve do të jetë ecuria e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, si dhe përmbushja e reformave që kërkohen në kuadër të procesit të negociatave.

Samiti do të ketë edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Prania e këtyre institucioneve pritet t’u japë një dimension të rëndësishëm ekonomik diskutimeve, veçanërisht për financimin e projekteve të zhvillimit dhe forcimin e lidhjeve mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor.