Gjatë Konferencës së Kryetarëve, deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po organizohen punimet e Kuvendit dhe mënyrës së vendimmarrjes nga mazhoranca.
Duke iu referuar seancës plenare që pritet të zhvillohet sot në orën 12:00, Bardhi ka theksuar se nuk është caktuar asnjë çështje jashtë rendit të ditës, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Rregullorja garanton që çdo çështje jashtë rendit të ditës të përcaktohet qartë. Kjo nuk ka ndodhur,” është shprehur ai, duke akuzuar mazhorancën për vendimmarrje të njëanshme dhe mungesë transparence.
“E keni kthyer Kuvendin në pronë private.
Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, kur në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar vetë me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi, vetëm për të bërë një foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë asnjë çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton Rregullorja e Kuvendit.
Unë e kuptoj që ju nuk doni debat, sepse doni ta trajtoni situatën sikur jeni kthyer nga pushimet, ndërkohë që në fakt jeni kthyer nga drejtimi i një organizate të strukturuar kriminale, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet, duke e krahasuar Shqipërinë me Rusinë.
Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë private, as vendin si një realitet normal. Siç e thotë edhe OSBE-ja, ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës.
E përsëris: ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë.”, shprehet ai.
