Klodian Braho ka marrë sot zyrtarisht detyrën si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, duke zëvendësuar Altin Dumanin. Ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvillua në orën 10:00, ku Dumani i kaloi stafetën pasardhësit të tij, duke i uruar suksese në drejtimin e institucionit.

“Sot mbyllet një nga kapitujt më sfidues të karrierës sime. Privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Jemi përballur me sfida dhe presione, por PSAK është sot më i fortë, konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Dua të falënderoj çdo punonjës për përkushtimin dhe sakrificat.”, tha Altin Dumani.

Braho u zgjodh pak ditë më parë në krye të SPAK, pasi mori 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke siguruar shumicën e nevojshme për këtë funksion.

Kreu i ri i SPAK vjen me një përvojë të gjatë në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe atyre me ndjeshmëri të lartë politike. Ai ka qenë prokuror përgjegjës për disa nga dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit.

Ndër çështjet e hetuara prej tij përfshihet ajo e inceneratorit të Elbasanit, ku u lëshuan urdhër-arreste për disa persona, mes tyre Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj u nda në një procedim më vete, me këtë të fundit aktualisht në arrati.

Braho ka hetuar gjithashtu dosjen e njohur si “5D”, e cila çoi në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si edhe çështjen “Toyota Auris”, ku janë të përfshirë disa emra nga sistemi i drejtësisë. Kjo dosje vijon të hetohet në disa fraksione.

Po ashtu, ai ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht në proces gjyqësor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit.