Azgan Mernica vijon të jetë në kërkim për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenaliaj, ditën e djeshme.
Teksa policia është vënë pas tij, detaje të reja po zbardhen për të shkuarën e tij kriminale, por jo vetëm. Së fundmi janë bërë publike disa fotot, ku Merncia shfaqet krah deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçit.
Raportohet se Mernica ka qenë pjesë e strukturës së PD për mbrojtjen e votës në zgjedhjet parlamentare të 2021. Në postimin e tij në Facebook, Luan Baçi shkruante se ishin gati për të mbrojtur votën, teksa ka ndarë foton me djemtë që ishin pjesë e kësaj strukture.
“Me të tillë djem, ka vetëm fitore! Jemi gati, për mbrojtjen e votës! Azgan Mernica, Shkëlzen Selaci, Pajtim Gashi, Marjus Sheka, Brahim Gashi”, shkruante Baçi në 2021.

Nga ana tjetër, Azgan Mernica është vëllai i një të dënuari me 19 vite burg për vrasje. Ngjarja ku është përfshirë vëllai i Mernicës ka ndodhur më 13 gusht të vitit 2019 në Fier.
Kiri Mernica dyshohet se në bashkëpunim me e Sadri Selaci masakruan me thikë të riun Florian Selimi dhe më pas trupin e tij e hodhën në një kanal ku u gjet pas disa orësh kërkime. Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci.
23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja. Sipas Policisë, vrasja është kryer më datë 11 gusht, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e 12 gushtit në një kanal.
