Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 85-të të tubimeve të nisura fillimisht kundër investimit në Zvërnec.

Me kalimin e ditëve, protesta është zgjeruar me kërkesa politike, përfshirë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kryeministrisë. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec, por edhe ndaj politikave që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Pjesëmarrësit e kanë cilësuar rezistencën 85-ditore si një kauzë që tashmë ka kapërcyer individët dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është krijimi i një qeverie tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila, sipas tyre, duhet të ndërmarrë ndryshime ligjore dhe kushtetuese për garantimin e zgjedhjeve të lira.

Gjithashtu, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe largimin e asaj që ata e cilësojnë si “kastë e vjetër politike”.