Sot Tirana do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së janë nisur nga Kosova e Maqedonia e Veriut po dynden nga ora ne ore drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës e cila do të nisë në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”. Protesta organizohet me moton “Liria ka emër” nga veteranët e UÇK-së.
Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t’i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.
Nga politika shqiptare, protestës pritet t’i bashkohen edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.
Sot Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve që udhëtojnë drejt Tiranës për protestë. Ndërkohë, kryebashkiaku i Prishtinës ka njoftuar se ka nënshkruar një vendim që mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të protestojnë në Tiranë.
Që në orët e para të ditës janë vërejtur lëvizje të shtuara në “Rrugën e Kombit”, ku dhjetëra automjete, të zbukuruara me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, po udhëtojnë në grupe drejt kryeqytetit shqiptar.
Për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, Policia Rrugore ka shtuar prezencën përgjatë aksit për të garantuar qarkullim normal dhe për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut.
Tubimi në Tiranë pritet të zhvillohet gjatë orëve të pasdites, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore dhe respektim të rendit publik.