Këtë të premte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Gjatë seancës u paraqit një kërkesë që procedurat të transmetoheshin drejtpërdrejt për publikun, por kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese. Gjyqtari i çështjes, Erion Bani, argumentoi se legjislacioni nuk parashikon transmetimin live të proceseve gjyqësore dhe se prania e kamerave mund të ndikojë në mbarëvajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Sipas vendimit të gjykatës, procesi do të vijojë pa transmetim të drejtpërdrejtë, ndërsa u ndalua edhe çdo formë regjistrimi audio apo video gjatë zhvillimit të seancës.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po përballen me akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, ndërsa gjykimi po zhvillohet sipas procedurës së zakonshme.
Nga ana tjetër, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ngriti shqetësimin për kushtet në sallën e gjyqit, duke deklaruar se prej një jave kishte paraqitur kërkesa lidhur me përdorimin e kafazit prej xhami ku qëndron i pandehuri. Sipas tij, kërkesa është dërguar edhe pranë institucioneve dhe organizatave që monitorojnë të drejtat e njeriut.
Vetë Meta këmbënguli që çështja e transmetimit live të rishqyrtohej, duke argumentuar se transparenca do t’i shërbente informimit të publikut. Ai u shpreh se procesi nuk duhet parë vetëm si një çështje personale, por si një standard që mund të vlejë për çdo të pandehur që përballet me drejtësinë.
Ish-presidenti theksoi gjithashtu se, sipas tij, transmetimi i drejtpërdrejtë do t’i jepte publikut mundësinë të ndjekë vetë zhvillimet e procesit dhe të krijojë një vlerësim të pavarur mbi faktet e paraqitura në gjykatë.
