Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pritet të njihet ditën e sotme në seancën që mbahet në GJKKO me masën e sigurisë.

Kujtojmë fillimisht se seanca nisi në 09:00, por u shty për në 13:30 pasi avokatët kërkuan të njihen me aktet hetimore.

Mediat raportojnë se në nisje të seancës dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë saktësuar se Veliaj nuk është person i dënuar.

Ky sqarim vjen, pasi në dosje, SPAK e prezantonte Veliajn si person të dënuar. Mësohet se dy prokurorët kanë thënë se ka qenë një gabim i regjistrit elektronik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar të hënën në dyshimin për korrupsion dhe pastrim parash, njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Në një njoftim për media, SPAK tha se Veliaj dyshohet për për “korrupsion pasiv” në 9 raste.

Gjykata ka urdhëruar që bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, të mbahet në arrest shtëpiak si e dyshuar për “korrupsion pasiv” në 9 raste, për pastrim parash dhe për mosdeklarim të të ardhurash.