Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi në Kuvend se konfliktet dhe problematikat me pronat në zonën e Vlorës e kanë zanafillën që në fillim të viteve ’90, duke e lidhur situatën me zbatimin e ligjit 7501.
Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se ka qenë ndër të parët që ka denoncuar publikisht grabitjen e tokave në Vlorë, veçanërisht në zonat bregdetare, duke kujtuar denoncimet e bëra prej tij në fillim të viteve 2000.
“Në vitet 2000-2003 kam qenë i pari që kam denoncuar grabitjen e tokave në Vlorë dhe posaçërisht në këtë territor për të cilin bëhet fjalë”, u shpreh ai.
Sipas Braçes, një nga problemet kryesore ka qenë shndërrimi i sipërfaqeve të fondit pyjor në tokë bujqësore, proces që më pas u përdor për ndarjen e pronave sipas ligjit 7501.
Deputeti socialist theksoi se kjo çështje ka krijuar pasoja afatgjata për pronësinë në zonë, ndërsa solli në vëmendje edhe debatet e vazhdueshme që lidhen me regjistrimin dhe pretendimet mbi pronat në jug të vendit.
Deklaratat e Braçes u bënë gjatë diskutimeve në seancën plenare, ku çështja e pronave në Vlorë dhe investimeve në zonën e Zvërnecit ka shkaktuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
