Prokuroria ka zbardhur ditën e sotme ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e Don Boskos, Tiranë, ku mbeti i vrarë Erjon Çela.

15 persona kanë rënë në pranga ditën e sotme, pas shkatërrimit  të një bande kriminale në Durrës , e cila dyshohet se është dhe përgjegjëse për masakrën e Don Boskos, ku përveç ekzekutimit të Çelës, u plagosën dhe 4 persona të tjerë.

Kujtojmë se Erjon Çela u vra më 4 janar 2022, ndërsa ishte ulur në tavolinë me 4 persona të tjerë mes tyre dajën, të vëllanë, kamarierin dhe një person tjetër.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre. Dyshohet se ishin dy qitës dhe se janë derdhur mbi 20 plumba kallashnikovi drejt lokalit. Makina e autorëve më pas ka marrë kthesën dhe janë larguar në drejtim të  Traumës për të dalë jashtë Tiranës.

Të plagosurit ishin Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, i cili u lëndua në fytyrë dhe këmbë; Edmond Crroj 41-vjeç, daja i viktimës, i plagosur në bark e këmbë; Azbi Selimaj 19 vjeç kamarieri i lokalit, i dëmtuar në shpatull dhe Arben Dani 46 vjeç, i dëmtuar në këmbë.