Mikel Hoxha u ekstradua sot nga Mbretëria e Bashkuar me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie.

33 vjeçari, nipi i ish-deputetit të PDIU-së Dritan Bici, ishte shpallur në kërkim që prej qershorit 2018, pas një ngjarjeje me armë zjarri të ndodhur në qytetin e Gramshit. Fillimisht, më 23 prill 2021, Hoxha u dënua në mungesë me 17 vite burg, për akuzat “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Por, Gjykata e Apelit Durrës ndryshoi më pas kualifikimin ligjor të veprës penale, duke e riklasifikuar në “Plagosje e rëndë me dashje” dhe e dënoi atë me 4 vite heqje lirie.

Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi në qershor të vitit 2018, në sheshin kryesor të qytetit të Gramshit, përballë komisariatit të policisë, ku pas një konflikti pati të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, mbeti i plagosur Admir Haruni, banor i zonës.

Ndërsa më 8 tetor, media britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull Hoxhës, ku thekson se ai u dënua me 17 vjet burg në mungesë nga një gjykatë shqiptare për “vrasje me paramendim në tentativë”, ndërkohë që mbeti i lirë në Britani. Kur Hoxha u arrestua më në fund në Cardiff në shtator të vitit 2023, teksa iu gjet dhe një arsenal armësh. Në artikull theksohej se armët me numra serial të hequr, ishin të destinuara të përfundonin në duart e shqiptarëve të përfshirë në krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Gazeta britanike theksoi atëherë se ekstradimi i tij do të dëmtonte partneren dhe dy fëmijët e vegjël, të cilët kanë lindur në vitin 2019 dhe 2022 pas hyrjes së tij të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.