Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me të shkuarën e ish-efektivit të policisë, Lavdosh Metaj, i cili u plagos në orët e para të mëngjesit të sotëm në Sarandë.
Lavodsh Metaj u godit me thikë rreth orës rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm (11 korrik) në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës në një vendparkim nga 41-vjeçari me iniciale A. SH., i cili u arrestua nga policia. Shkak për konfliktin ishte bërë pagesa për parkimin, të cilën Metaj kishte refuzuar ta paguante. Ai kishte debatuar ashpër më 41-vjeçarin, i cili më pas e plagosi me thikë.
Ish-efektivi njihet si një njeri problematik, teksa kishte vetëm 3 muaj që kishte dalë nga burgu.
41-vjeçari u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve qe zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokaine ne Sarande dhe u dënua nga gjykata me 5.4 vite burg. Megjithatë, ai arriti të përfitonte nga amnistia penale, duke u liruar.
Në dosjen e Prokurorisë së Sarandës bëhej me dije se ish-efektivi ishte i përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës drejt shtetit grek.
“Nga informacionet e marra rezulton se punonjësi i Policisë, Lavdosh Metaj, merret edhe me aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit marijuanë dhe kokainë, të cilat i trans- porton nga qyteti i Fierit, ku ia sigurojnë dhe grumbullojnë këto lëndë persona të tjerë të afërm dhe me lidhje shoqërore ende të paidentifikuar”, thuhej në dosje.
Hetimet ndaj tij, kishin nisur pas informacioneve të SHÇBA-së në Vlorë dhe Gjirokastër për përfshirjen e forcave të rendit në këtë aktivitet.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Lavdosh Metaj kishte 6 muaj që hetohej pas një materiali kallëzues që kishte ardhur në Prokurori nga vete kolegët e Komisariatit të Sarandës, për dy akuza, atë të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim. Kallëzimi ndaj efektivit ishte bërë më 18 dhjetor 2020.
“Sipas informacioneve të përfituara nga shërbimet e SHÇBA-së, ka rezultuar se efektivi i Policisë, shtetasi Lavdosh Metaj merret me aktivitetin kriminal të ‘prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’, kryesisht të kokainës në qytetin e Sarandës, ku në këtë aktivitet kriminal ky shtetas bashkëpunon edhe me persona të tjerë të cilët i sigurojnë lëndën narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë dhe modifikime në vende të fshehta”, sqaronte Prokuroria.
Sipas dosjes hetimore, lëndën narkotike, efektivi e shpërndante në qytetin e Sarandës kryesisht gjatë muajve të verës, ndërsa organi i akuzës arriti të faktojë edhe lokalet dhe hotelet ku shitej droga. Një tjetër detaj në dosjen hetimore, ishte edhe fakti që efektivi ishte edhe vetë konsumues i lëndëve narkotike, ndërsa në lokale dhe hotele kishte shtrirë rrjetin e bashkëpunëtorëve.
“Gjithashtu, sipas të dhënave për shpërndarjen e lëndës narkotike, shtetasi i dyshuar bashkëpunon edhe me disa kamerierë të hoteleve të mëdha në Sarandë, të cilët i gjejnë dhe klientelën. Lëndën narkotike, i dyshuari ua jep atyre nga automjeti ku e mban për ta shitur”, thuhej më tej në dosje.
Prokuroria theksonte se, një pjesë të dozave të kokainës 38-vjeçari i mbante të fshehura edhe në banesën e tij në katin e katërt të një pallati në Lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës. Ndërkohë, ai kishte arritur të blinte edhe një apartament tjetër po në Sarandë përveç jetës luksoze që bënte, e dëshmuar kjo edhe në rrjetet sociale.
“Gjithashtu, dyshohet se nga zhvillimi i këtij aktiviteti kriminal, ky punonjës Policie ka akumuluar dhe pasuri të konsiderueshme, pasi sipas të dhënave ka blerë edhe një apartament tjetër në qytetin e Sarandës, i cili është në përfundim e sipër”, thuhej më tej në dosje.